Muhedin Makrin e gjejmë të ulur te sofati. Është 81 vjeç. Nuk është duke numëruar tespihet, siç do bënte çdo moshatar i tij. Me daltë dhe çekiç gdhend pllaka guri. “Po gdhend ‘lulen e jetës’”, thotë ai, ndërsa i mëshon daltës dhe grimcat e gurit i ngjiten në fytyrë.
Pas ndërrimit të sistemeve, pasi kishte prodhuar për 4 dekada lugë e thika, iu kthye një pasioni të hershëm, atij të gurgdhendësit. E tanimë u bënë 27 vjet, që në rrasa guri, që qyteti i hirtë i ka me shumicë, gdhend konturet e Kalasë shekullore, portrete figurash historike, që nga Skënderbeu, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Musine Kokalari, Çerçiz Topulli e deri te shkrimtari i madh, Ismail Kadare, që i ka dhënë qytetit, po aq sa edhe i ka marrë. Por nuk mungon as imazhi i diktarorit Enver Hoxha. Turistët i kërkojnë dhe Muhedini nuk përton t’i mëshojë daltës. Të huajt i pëlqejnë shumë punët e tij, por shpesh kufizohen për shkak të peshës së rëndë të gurit. Por Muhedini nuk mërzitet. Në dyqanin e tij në Pazar, në rrugicën që të nxjerr për te Kalaja gjen vepra të të gjitha përmasave.



