Ekspozita Fotografike “Gjurmë Portash” – Çdo portë një trashëgimi, çdo gjurmë një histori. Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Ekspozita paraqet një koleksion fotografish që dokumentojnë portat tradicionale të qytetit të Korçës, një element unik i peizazhit urban që shkon përtej vlerave të tij arkitekturore, duke u bërë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Këto porta nuk janë thjesht hyrje fizike, por mbartin histori, kujtime dhe tradita të transmetuara brez pas brezi. Forma, ngjyrat, ornamentet dhe teknikat e punimit pasqyrojnë mjeshtërinë e zejtarëve vendas, të cilët, duke punuar me dorë çdo detaj, kanë përçuar shijen estetike dhe identitetin kulturor të zonës. Nëpërmjet ekspozitës, vizitorët do të kenë mundësinë të zbulojnë historinë dhe simbolikën që secila portë ruan – nga portat e mëdha të shtëpive karakteristike te portat e thjeshta, por plot ngrohtësi, të lagjeve popullore. Ky aktivitet synon të ndërgjegjësojë publikun për rëndësinë e ruajtjes së jo vetëm objekteve fizike, por edhe dijes, praktikave dhe kujtimeve që lidhen me to – duke kontribuar kështu në mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Korçës.
29 shtator, Ora 11:00 në bibliotekën e qytetit të Korçës.
