Ky vit shënon edicionin VI të “Panairit Kombëtar të Artizanatit”. QKVT do të mbledhë bashkë artizanë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë si dhe nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe nga diaspora, në panairin kombëtar. Duke ndjekur traditën e panaireve të mëparshëm, qëllim kryesor do të jetë përfshirja e atyre artizanëve të cilët mbajnë gjallë apo kanë rizgjuar punime artizanale të rralla dhe në zhdukje.
Panairi synon të promovojë artin dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë, duke siguruar që punët artizanale të duarartëve tanë, të marrin vëmendjen dhe vlerësimin e duhur nga përkrahësit e artit të tyre.
Nga QKVT do të jepen certifikata pjesëmarrjeje për artizanët që do të bëhen pjesë e këtij panairi.
Aktiviteti jo vetëm që do të promovojë dhe ruajë artizanatin tradicional shqiptar, por gjithashtu do të krijojë një urë lidhëse me brezin e ri duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Ky aktivitet do të jetë edhe në funksion të turizmit kulturor, ku mund të shoqërohet me një koncert folklorik.
29 Shtator, Ora 17:00 në sheshin kryesor të qytetit Laç.
